Kalaja Katërkëndore e Vivarit
Gjithshka në ndërtimin e kësaj kështjelle tregon që synimi kryesor ishte mbrojtja nga ana e detit. Në këtë drejtim janë ndërtuar dhe kullat më të fuqishme të pajisura me frëngji të mëdha topash, trashësia e mureve të të cilave arrin në bazë 2.80 m, ndërsa dy kullat e tjera me planimetri katërkëndëshe, që nuk i ekspozohen goditjes me artileri nga anijet kanë një trashësi muresh 1 – 1,20 m. Muret dhe kullat kanë lartësi të barabarta prej 5 m. Pjesa e sipërme e mureve përfundon me një parapet, që përshkohet nga frëngji pushke dhe kufizohet në anën e jashtme me një kornizë gurësh të punuar, që dalin pak nga sipërfaqja e murit.
Kalaja ndodhet përballë sitit arkeologjik të Butrintit. Për të shkuar aty duhet të kaloni kanalin e Vivarit në rrugën që lidh Sarandën me Greqinë.
Këtë kala e ka ndërtuar Ali Pashë Tepelena rreth viteve 1807 – 1808. Kalaja është ndërtuar shpejt dhe synimi kryesor ishte mbrojtja nga ana e detit.
Kalaja ka një formë të thjeshtë katërkëndëshe me përmasa 20 x 30 m, me katër kulla të vendosura në qoshet e saj. Dy kullat e drejtuara nga deti janë rrethore, ndërsa dy të tjerat, janë katërkëndëshe. Midis këtyre të fundit ndodhet edhe porta kryesore e kështjellës.
Ajo u ndërtua me nxitim nga Ali Pasha për të ndaluar zbarkimin e ushtrive franceze prezente në ishullin e Korfuzit dhe garantuar lëvizjen e trupave të tij në territoret e Pashallëkut .
Një veçanti e kalasë është edhe porta tjetër e vogël në mesin e murit verior, në drejtim të bregut të kanalit. Mënyra e mbrojtjes së kësaj porte është se përveç dy kullave, që e mbronin nga ana e jashtme, ajo ka dhe një sistem të brendshëm fortifikimi.