Më 20 korrik 2026, në Sarajet e Toptanëve në Tiranë, u zhvillua aktiviteti përmbyllës dhe profesional i projektit “Porta dhe Ura”, i realizuar nga Shoqata MeWe në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale, nën suportin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Pas aktivitetit festiv dhe edukativ për fëmijë dhe familje, programi vijoi me prezantimin e udhëzuesit të ilustruar “Porta dhe Ura” dhe një diskutim me ekspertë të fushës së trashëgimisë kulturore.

Ky event u konceptua si një hapësirë reflektimi mbi mënyrat se si arti, edukimi dhe bashkëpunimi institucional mund të kontribuojnë në krijimin e një trashëgimie të gjallë dhe të aksesueshme për brezat e rinj.

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte roli i ilustrimit didaktik në prezantimin e trashëgimisë materiale dhe jomateriale. Përmes ilustrimit, historisë dhe rrëfimit vizual, fëmijët mund të afrohen me koncepte komplekse historike e kulturore në një mënyrë më të kuptueshme, tërheqëse dhe emocionale.

Udhëzuesi “Porta dhe Ura” e trajton trashëgiminë përmes dy koncepteve të fuqishme. Porta si simbol i mikpritjes, i hapjes dhe i lidhjes me tjetrin. Ura si simbol i lidhjes, kalimit dhe komunikimit mes njerëzve, vendeve dhe brezave.

Këto koncepte u diskutuan në raport me traditën shqiptare të mikpritjes dhe Besës, si dhe me mënyrën se si trashëgimia kulturore mund të vazhdojë të interpretohet dhe të jetojë në kontekste bashkëkohore.

Një tjetër temë e rëndësishme ishte roli i shtëpive-muze në ruajtjen dhe gjallërimin e vendeve historike. Shtëpitë muze Kadare, Agolli dhe Shtëpia e Toptanëve u trajtuan si raste studimi për mënyrën se si hapësirat historike mund të bëhen më të aksesueshme për publikun dhe, veçanërisht, për brezat e rinj.

Në këtë kuadër, u diskutua edhe rëndësia e krijimit të këndeve dhe formateve edukative brenda institucioneve dhe hapësirave të trashëgimisë. Qëllimi nuk është vetëm ruajtja e ndërtesave dhe objekteve historike, por edhe krijimi i marrëdhënieve të reja mes këtyre vendeve dhe komuniteteve që i vizitojnë.

Eventi trajtoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve, organizatave jofitimprurëse dhe artistëve. Projekti “Porta dhe Ura” është një shembull i një modeli bashkëpunimi ku ekspertiza, krijimtaria dhe angazhimi institucional bashkohen për të prodhuar forma të reja të edukimit dhe komunikimit të trashëgimisë.

Zgjedhja e Sarajet e Toptanëve si vendi i eventit ishte pjesë e kësaj narrative. E lidhur me një prej familjeve më me ndikim në historinë e Tiranës, shtëpia historike u bë vetë pjesë e mesazhit të projektit.

Një shtëpi me porta dhe hapësira që kanë dëshmuar historinë u shndërrua në një pikë takimi mes së kaluarës dhe së ardhmes, duke krijuar një urë simbolike mes brezave.

Nëpërmjet “Porta dhe Ura”, Family Art Guides vijon të zhvillojë një qasje të re ndaj edukimit kulturor: një qasje që e vendos fëmijën në qendër, por që njëkohësisht krijon hapësira për dialog mes artistëve, institucioneve, ekspertëve dhe komunitetit.

Sepse trashëgimia nuk është vetëm ajo që ruajmë. Është edhe ajo që arrijmë t'ua përcjellim brezave të ardhshëm.