“Mia në Shtëpinë me Gjethe” – Teatër me kukulla në muze!

Më 12 dhjetor, ora 15:00, Muzeu “Shtëpia me Gjethe” sjell për herë të parë në Shqipëri një shfaqje teatri me kukulla të krijuar posaçërisht për një muze kujtese.
Një format i ri edukimi, që ndërthur historinë, artin dhe imagjinatën për t’ua sjellë të shkuarën fëmijëve me një gjuhë të butë, të kuptueshme dhe dinjitoze.

Shfaqja Mia në Shtëpinë me Gjethe është përgatitur në bashkëpunim me Family Art Guides, me tekst origjinal dhe elemente vizuale të konceptuara enkas për muzeun tonë.

Për realizimin e saj:

  • kemi punësuar part-time një student të Universitetit të Arteve,
  • kemi përdorur zërat e anëtarëve të stafit si personazhe të shfaqjes,
  • kemi zhvilluar një qasje të re interpretimi për publikun e vogël.

Kemi kënaqësinë të presim në këtë aktivitet edhe fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, të cilëve u dedikohet kjo premierë e veçantë.

Një hap më tej drejt muzeologjisë bashkëkohore, edukimit krijues dhe qasjes inkluzive ndaj historisë.